Parathënie
Libri i Dijes – Ibën Uthejmin.
Autor: Dijetari i madh: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (Rahimullah)
Parathënie:
Falënderimi i takon vetëm Allahut. Vetëm Atë falënderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të keqes së veteve (shpirtrave) dhe punëve tona. Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i Pashoq dhe se Muhamedi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) është rob dhe i Dërguari i Tij.
Libri qe keni në duar është një version i shkurtuar i librit të dijetarit të madh Muhamed ibën Salih el Uthejmin (Rahimullah), me titull “Libri i dijes”. Shkurtimi që kemi bërë në libër është mospërmendja e disa fetvave rreth dijes të dhëna nga shejhu, të cilat i kanë mbledhur botuesit e librit, Shtëpia Botuese “Darul Minhaxh”, në Kajro. Po kështu, nuk kemi përmendur disa letra dhe porosi të shejhut, në mesin e të cilave ka përsëritje të shumë fjalëve të përmendura më parë. Pra, mund të themi se kemi përkthyer gjërat e papërsëritura dhe kemi lënë pa përkthyer shtojcat që i janë bërë subjektit kryesor të librit.
Libri përmban këshilla dhe udhëzime për nxënësin e dijes, për të cilat ai ka shumë nevojë dhe nuk mund të bëjë pa to, nëse dëshiron të ndjekë rrugën e dijes dhe t’ja arrijë synimit në rrugën sa më të shkurtër dhe të saktë.
Lusim Allahun të na japë dije të dobishme dhe të na bëjë dobi me dijen që na jep! Ai është Zot i kësaj dhe Plotfuqishëm për gjithçka.
Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!
Përkthyesi
Amman Jordani